Intervista shumë e pritur e Meghan Markle dhe Prince Harry me Oprah-n më në fund është transmetuar dhe ish-çifti mbretëror ka folur praktikisht për gjithçka. Dukët e Sussex kanë treguar detaje nga shumë gjëra që i kanë ndodhur, që nga vendimi për t’u larguar nga monarkia, tek marrëdhënia e Harry-t me të vëllain, drama e Meghan me Kate Middleton dhe jeta e tyre e re në Kaliforni e pritja e fëmijës së dytë. Le t’i shohim me radhë të gjitha gjërat për të cilat kanë folur Princi dhe bashkëshortja e tij, ku mund të themi që ka edhe informacione gati tronditëse nga ajo që kanë kaluar në Pallatin Mbretëror.

E para: Janë në pritje të një vajze!

Fëmija i dytë i Meghan dhe Harry është një vajzë dhe do të vijë në jetë këtë verë. Kështu, Archie do të bëhet me një motër të vogël.

Princi Charles ndaloi së marri telefonatat nga djali i tij, Harry.

“Kur ishim në Kanada bisedova 3 herë me gjyshen dhe 2 me babain tim, para se ata të mos më përgjigjeshin më në telefon.”-tha Harry, ndërsa shpjegoi: “Isha I dëshpëruar..Shkova në të gjitha vendet ku mendoja se do të merrja ndihmë. Të dy ne shkuam. Bashkë dhe të ndarë.”

Pjestarët e familjes mbretërore janë treguar racistë ndaj Archie-t.

Meghan tha se ka pasur disa shqetësimë “raciste” nga pjestarë të monarkisë për shtatzaninë e saj të parë, teksa kanë diskutuar se sa “e errët” mund të jetë ngjyra e lëkurës së Archie-t. Përveç bisedave të zakonshme, nëse djali do të kishte një titull mbretëror, Harry i kishte thënë bashkëshortes se pjestarët e familjen kanë folur edhe për ngjyrën e lëkurës së tij, gjë që kishte qenë shumë e vështirë për Meghan. E pyetur nga Oprah nëse mund t’I zbulonte ata që kishin bërë këto diskutime, ajo tha se nëse do ta bënte do t’i dëmtonte shumë.

Meghan dhe Harry kanë pasur një dasmë sekrete.

Meghan i tha Oprah-s se në fakt ajo dhe Harry janë martuar 3 ditë para dasmës në Winsdor Castle, duke bërë një ceremoni të vogël sekrete në kopshtin e shtëpisë së tyre në atë kohë.

Prince Harry and Meghan Markle Open Up In Oprah Interview – Live – Deadline

Meghan zbuloi për luftën me problemet e shëndetit mendor.

Dukesha tha se në mes të të gjithë asaj që po kalonin, ajo kishte nisur të kishte mendime “ të vërteta dhe të frikshme”, madje kishte pyetur se ku mund të shkonte për të marrë ndihmë për shëndetin mendor, por i kishin thënë që nuk mundej.

“Shkova tek pjestarët më të vjetër të familjes për t’i kërkuar ndihmë. Dhe e ndaj këtë me ju pasi ka shumë njerëz që kanë ende frikë që të flasin për këto probleme, unë e di si është të të thonë jo.”- tregoi Markle, ndërsa zbuloi se kishte shkuar edhe te burimet njerëzore të Pallatit Mbretëror, pikërisht për t’i kërkuar ndihmë në mënyrë direkte:

“I kërkova të shkoja në një spital. Por më thanë që nuk mund ta bëja këtë. Nuk mund të merrja një Uber në pallat, nuk mundej thjesht të shkoja. Duhet të kuptoni, ajo ishte hera e fundit që unë kam pare pasaportën time, patentën, çelësat. Të gjitha ato thjesht nuk mund t’i kesh më. Më vinte turp ta thoja në atë kohë, më vinte turp t’ja pranoja Harry-i sepse e di sa humbje ka patur dhe sa ka vuajtur. Nga ana tjetër e dija që nëse nuk e thoja, do të më duhej ta bëja. Thjesht më iku dëshira për të qenë gjallë, nuk doja të jetoja. Ky ishte mendimi në kokën time.”

Princi Harry i mësoi Meghan si ta takonte Mbretëreshën, vetëm pak minuta para se ata të hynin në Pallatin Mbretëror.

Meghan tha se Kate Middleton e ka bërë të qajë.

Kjo ngjarje ka ndodhur javën e dasmës së saj me Princ Harry-n dhe ishte pikërisht për shkak të një detaji të ceremonisë, një nga fustanet e vajzave që do të mbanin lulet.

“Ishte një javë e vështirë për të gjithë. Disa ditë para dasmës, ajo ishte mërzitur për diçka, në lidhje me fustanin e njërës prej vajzave të vogla dhe më bëri të qaj, duke më lënduar edhe ndjenjat. Unë mendova, në kontekstin e gjithçkaje që po ndodhte ato ditë teksa dasma po afrohej, nuk kishte kuptim që të mos bënte atë që po bënin të gjithë, të më mbështeste për shkak të asaj që po ndodhte me babain tim dhe të gjithë gjërat e tjera”– tha Markle.

Princi Harry thotë se ai dhe i vëllai, William, kanë marrë pak “hapsirë”.

“Marrëdhënia jonë është në “hapsirë” për momentin”– tha Harry-“Por koha i shëron të gjitha gjërat, shpresojmë.”