Për herë të parë në 24 vjet, emisioni Opinion nga Blendi Fevziu në Tv Klan ka nisur ndryshe. Fevziu e ka moderuar emisionin nga jashtë shtetit. Fevziu sqaroi se ndodhet jashtë Shqipërisë për arsye pune, por për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend, që kanë të bëjnë me shpalljen “non grata” të Sali Berishës në SHBA, u detyrua që ta ndërpresë këtë udhëtim dhe emisionin ta drejtojë përmes video-live.

“Kësaj here nuk po ju flas ekzaktësisht nga studio e emisionit Opinion për arsye të një zhvillimi të fundit, një zhvillim që si shumicën e rasteve janë problematike por sjellin një risi në transmetimet dhe metodat moderne të komunikimit. Sot paradite ne kemi regjistruar një emision i cili përshtatej me zhvillimet midis Izraelit dhe Palestinës. Pas kësaj unë jam nisur për një udhëtim pune për të sjellë një emision në ditët e ardhshme në emisionin Opinion, por në momentin që mbërrita në një vend të huaj, pra jo në Shqipëri, erdhi lajmi i vendimit të Sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken, për të ndaluar hyrjen në SHBA të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij. Unë vendosa ta ndërpres këtë udhëtim dhe nesër të jem në transmetim në një emision të gjerë për këtë çështje, por nuk mund ta humbnim as sot aktualitetin. Pandemia na mësoi që shumë emisione mund të bëhen dhe online, kështu që unë po flas sot nga një qytet europian, ndërkohë që në studion e emisionit Opinion ndodhen 3 të ftuarit e mi për të ndërtuar një emision risi”, u shpreh Blendi Fevziu.