Një incident ka ndodhur të martën, kur Papa Françesku po përshëndeste një numër të madh njerëzish që ishin mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit. Në momentin kur ai po largohej një grua nga turma i kapi dorën e djathtë dhe e tërhoqi drejt saj. Papa reagoi duke e goditur gruan te dora dhe u largua me fytyrë të vrenjtur.

Videoja po qarkullon në internet dhe ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet. Ditën e sotme, Papa u detyrua të kërkonte falje publikisht.

“Ka shumë raste kur ne e humbasim durimin dhe unë po ashtu. Kërkoj falje për shembullin e keq që dhashë dje”, është shprehur ai drejtuar turmës së mbledhur në shesh.

Kjo nuk është hera e parë që Papa reagon i bezdisur ndaj sjelljeve të turmave të njerëzve. Në muajin mars, një video ku Papa shmangte njerëzit në mënyrë që mos t’i puthnin unazën, bëri xhiron e rrjetit. Përfaqësues të Vatikanit e justifikuan këtë veprim duke thënë se Papa shqetësohej për çështjen e higjenës.