Loading...

The Voice Kids, prisni të papriturën

Please log in or register to like posts.
Image

Të gjithë fëmijët nga mosha 6 në 14 vjeç do të mund të shprehin talentin e tyre në “The Voice Kids”, që vjen për herë të dytë pas atij në vitin 2013, por ndryshe nga ai Voice ky ka vetëm një gjë të përbashkët Fëmijët dhe ekranin e Top Channel, sepse paneli i trajnerëve është ndryshuar dhe moderatori i këtij Voice do jetë Ledion Liço, pra fëmijët kanë mundësinë të konkurojnë njësoj si të rriturit. Shumë surpriza, argëtim, lojëra, të qeshura dhe në fund të fundit një garë e fortë na pret në Voice Kids… së shpejti në Top Channel

Zbuloni më shumë rreth trajnerëve të “The Voice Kids Albania 2”

Miriam Cani

Skena është shtëpia e saj e dytë dhe Miriam Cani është sprovuar me të që në moshë të vogël kur nisi kurset e para të këndimit, kërcimit dhe pianos. E angazhuar në shfaqje teatrale dhe aktivitete të ndryshme muzikore, ajo hodhi hapat e parë drejt një rrugëtimi që një ditë do t’i dhuronte adhurues të panumërt.

Karriera e mirëfilltë e Miriam Canit nis në Gjermani, në vitin 2003, kur zgjidhet si pjesëtare e grupit të muzikës pop “Preluders”. Grupi arriti sukses të menjëhershëm me cover-in e tyre të parë “Losing my religion”. Albumi i parë “Girls in the house” renditet në vendin e dytë, menjëherë pas Robbie Williams në listën e albumeve më të shitura në Gjermani. Ky sukses do të pasohej nga çmime prestigjoze. “Preluders” mbajnë mbi supe 9 videoklipe, 2 albume dhe disa turne europiane, duke i siguruar kështu Miriam Canit vëmendjen dhe famën e publikut ndërkombëtar.

Pas kësaj eksperience të frytshme disa vjeçare, në vitin 2006 Cani i bashkohet shfaqjes muzikore “Chicago” ku luan rolin kryesor, e njëkohësisht bëhet pjesë e televizioneve gjermane duke shfaqur aftësitë e saj si prezantuse të disa programeve si “Chart Show” e “New Talent Show”.

Për publikun shqiptar, Miriam Cani u bë e njohur masivisht me këngën “Let me die with you”, dueti i parë me Alban Skënderaj, partnerin e saj tashmë prej një dekade. Duke pasuar me suksesin e këngës së parë solo “Mos më ndal”, e që nga ajo kohë Cani nuk është ndalur kurrë. Karriera e saj vazhdon të konsolidohet si në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj. Që nga Qershori i vitit 2011 është anëtare e shfaqjes muzikore “Hair” në Operën e Bonit.

Në të njëjtin vit, ajo bëhet pjesë e “The Voice of Albania” ku e shohim në rolin e trajneres në dy sezonet e parë të programit.

E ëmbël, e drejtëpërdrejtë dhe me këmbë në tokë, Miriami ka qenë gjithnjë afër publikut. Publikut që e ndjek në çdo koncert e që pret me padurim këngët apo videoklipet e saj. Ajo është gati të kthehet sërish në karrigen e kuqe, për të ndarë përvojën e saj me talentet e reja e për t’u emocionuar bashkë me ta.

Eneda Tarifa

Eneda Tarifa, një nga këngëtaret më të spikatura të muzikës së lehtë shqiptare, që prej fillimit të viteve 2000 la gjurmë të pa kontestueshme fillimisht me hitin e saj të parë “Ika larg”. Ky sukses do të pasohej nga dhjetra këngë, koncerte e gara muzikore ku Tarifa ka shkëlqyer gjithmonë, shpesh duke u vlerësuar me çmime të rëndësishme në rajon.

Në vitin 2010 fiton çmimin e parë në “Top Fest 7“, me këngën “Me veten”,  këngë e cila në një kohë të shkurtër do të kthehej në një nga këngët më të pëlqyera e më të dashura për publikun. Muzika ka qënë gjithmonë pasioni i saj më i madh, por jo i vetëm. Tarifën e kemi parë si moderatore të programit të humorit “Portokalli” për gjashtë edicione rradhazi duke qenë kështu një nga figurat më të dashura të ekranit.

Në vitin 2016, Eneda Tarifa fitoi vëmendje ndërkombëtare, duke përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision Song Contest”, me këngën e saj “Përrallë”. Gjithmonë energjike, me sens humori dhe vullnet të hekurt, Eneda vjen për herë të parë si trajnere në “The Voice Kids” e gatshme për të punuar e për t’u argëtuar me konkurrentët e vegjël.

Aleksandër & Renis Gjoka

Zëri tij i pakrahasueshëm e karakteri i veçantë e kanë kthyer Aleksandër Gjokën në një legjendë të mirëfilltë të muzikës shqiptare. Vitet ‘90 do të ishin vitet e arta kur krijimtaria e tij si kantautor do të arrinte majat. Këngë si “Ditë dimri”, “Zemra e një gruaje”, “E dua dashurinë”, “Twist again” apo “Kuturu” janë dëshmi e vyer e muzikës së pastër e pa kompromise që ai ka zgjedhur të bëjë. Gjithmonë besnik i muzikës rock, Gjoka ka sjellë për publikun shqiptar këngë të cilat i kanë rezistuar kohës e janë të dashura jo vetëm për nostalgjikët, por dhe për brezat e rinj.

Aleksandër Gjoka numëron bashkëpunime të shumta, ndër më të suksesshmit vecohet ai me Elton Deden e Redon Makashin. Tre kantautorët që i bashkoi më së shumti vizioni i njëjtë mbi muzikën gjatë viteve ‘90, njihen ndryshe si “3 Musketjerët”  dhe sëbashku ngritën themele të forta të zhanrit rock dhe rock baladë. Këtë e dëshmon më së miri koncerti i ribashkimit të tyre, në maj të vitit 2017. Koncerti u prit me padurim nga publiku e më fatlumët patën fatin të ishin në sallë, pasi biletat për t’i ndjekur nga afër u shitën në kohë rekord.

Gjoka ka qëndruar gjithmonë larg vëmendjes mediatike, por shumë pranë publikut me thjeshtësinë edhe origjinalitetin e tij. Është pikërisht publiku që emocionohet ende sa herë Aleksandër Gjoka prek skenën, e ndoshta ky është vlerësimi më i madh i karrierës së tij. Për herë të parë ai pranon të jetë pjesë e ekranit për një program kaq të gjatë televiziv ku adhuruesit e tij do të kenë mundësinë të njohin dhe dimensione të tjera të artistit.

Karriera e Renis Gjokës nisi në skenën e “Top Fest 2”, në vitin 2004 kur ishte 17 vjeç, por muzika e ka shoqëruar që në fëmijëri. Talenti duket se është i trashëguar nga xhaxhai i tij Aleksander Gjoka, i cili është dhe mbështetesi më i madh. Gjoka, ka nisur rrugëtimin artistik fillimisht duke studiuar 8 vjet instrumentin e violinës e më pas duke provuar veten si këngëtar. Ka qëndruar që në fillim besnik i shijeve të tij muzikore duke krijuar një identitet artistik që e ka veçuar që në daljet e para. Për gjate një dekadë Renis Gjoka ka realizuar hite si “Ajo”, “Dashuria ime ti”, “Mjegulla”, “Sot”, “I’a mbathim bashke”, të gjitha këngë të vlerësuara me çmime të shumta në kompeticione muzikore. Nuk kanë munguar dhe bashkëpunimet me Aleksandër Gjokën siç është kënga “I njëjti do të mbetem”, e kënduar dhe kompozuar prej tyre.

Vokali i veçantë e energjia që përcjell e kanë kthyer Renis Gjokën në një nga këngetarët më të sukseshëm e më të kërkuar të momentit. Kënga e tij e fundit u rendit menjëherë në “Top 10” në listës zyrtare të “Top Awards”. Mes koncerteve e netëve të live-it, përgatitjeve për albumin e tij, këngë e videoklipe, Renis Gjoka është një emër gjithmonë prezent kur flitet për muzikë cilësore.

Ata përfaqësojnë dy breza të ndryshëm, por kanë në dispozicion një buton të vetëm! Do t’i duhet të marrin vendime të përbashkëta, e kjo nuk do të jetë gjithnjë e lehtë. Aleksandër e Renis Gjoka premtojne dyfish adrenalinë për skuadrën e tyre.

Audicionet

Me mbylljen e audicioneve në Tiranë, Vlorë dhe Prishtinë ka ardhur momenti të shkojmë të kërkojmë zërin më të mirë për fëmijë në qytetin e Korçës. ‘The Voice Kids’ do të vazhdojë në kërkim të zërave, këtë herë në Korçë, më 19 Shtator 2017, tek Biblioteka e Fëmijëve, ora 13:00.

Pastaj nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të presim audicionin e fundit për Shtatorin, i cili do të zhvillohet në Shkodër:

22 Shtator 2017 – Audicioni i Shkodrës, Qendra Kulturore e Fëmijëve, ora 13:00

Stacioni i fundit do të jetë Tirana, e cila do të mbyllë ciklin e përzgjedhjes të zërave më të mirë, më 14 Tetor 2017, me Audicionin e Tiranës, te studiot e Top Channel, Piramida, ora 11:00.

Burimi i informacionit Top Channel

KLIKO MBI REKLAMAT
loading...
Loading...

Reactions

2

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.